Deputetja e Tiranës dhe kandidate për Partinë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit, Ilda Zhulali, ka ngritur shqetësimin për rrezikun që u kanoset banorëve në zonën pranë Universitetit Bujqësor, ku, sipas saj, kërcënimi i prishjes së banesave në emër të “zhvillimit” po kthehet në një dramë të përsëritur për shumë familje në kryeqytet.
“Kjo zonë rrezikon të ketë të njëjtin fat si shumë të tjera në Tiranë, ku shtëpitë shemben dhe familjet hidhen në rrugë, duke u shkatërruar investimin e jetës,” deklaroi Zhulali, duke theksuar se Partia Demokratike ka një plan të qartë për të ndalur këtë padrejtësi.

Ajo premtoi se me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike, legalizimi i të gjitha shtëpive do të kryhet me shpejtësi maksimale. Sipas saj, vetëm pasi qytetarët të kenë dokumentet e pronësisë në dorë, mund të nisë procesi i vërtetë i urbanizimit.
“Vetëm kur banorët të kenë dokumentet e pronës në dorë mund të ketë urbanizim,” u shpreh Zhulali, duke nënvizuar se mbrojtja e shtëpisë është mbrojtje e dinjitetit të qytetarit.