Alpinistja pakistaneze, Naila Kiani arriti majën e malit Kanchenjunga në Nepal, duke u bërë gruaja e parë pakistaneze që ngjitet në 12 nga 14 majat më të larta në botë.
Sipas agjencisë zyrtare pakistaneze të lajmeve Associated Press of Pakistan (APP), alpinistja Kiani arriti në majën e Kanchenjunga-s, duke përfunduar ngjitjen e saj, të cilën e kishte filluar në mbrëmje, në temperatura nën zero dhe reshje të dendura bore.
Kiani përveç Kanchenjunga, me lartësi prej 8.586 metrash ka arritur 12 nga 14 majat më të larta në botë duke u ngjitur në malin Everest, K2, Broad Peak, Nanga Parbat, Gasherbrum I dhe II, Annapurna, Lhotse, Manaslu, Makalu dhe Cho Oyu.
Duke folur pas zbritjes së saj, Kiani tha: “Kjo ngjitje nuk është vetëm moment historik personal, por edhe mesazh për të gjitha vajzat dhe gratë në Pakistan dhe në mbarë botën. Ju jeni më të forta nga sa mendoni”.
Ajo dëshiron ta përfundojë qëllimin e saj për t’u ngjitur në 14 majat më të larta në botë duke arritur edhe majat e maleve Shishapangma dhe Dhaulagiri.
Sfida më e vështirë e alpinizmit: 14 maja
Në botë ka 14 maja që janë 8 mijë metra mbi nivelin e detit. Këto ndodhen në Himalaje midis Kinës dhe Nepalit dhe në Malet Karakoram midis Kinës dhe Pakistanit.
Përveç majës më të lartë në botë, mali Everest (8.848 metra), malet tjera si K2 (8.611 metra), Kangchenjunga (8.586 metra), Lhotse (8.516 metra), Makalu (8.485 metra), Cho Oyu (8.188 metra), Dhaulas (8.167 metra), Nanga Parbat (8.126 metra), Annapurna (8.091 metra), Gasherbrum 1 (8.800 metra), Broad Peak (8.510 metra), Gasherbrum 2 (8.350 metra) dhe Shishapangma (8.270 metra) njihen si majat “8 mijëshet”.
Janë të paktë alpinistët e lartësive të mëdha që mund të ngjiten në të gjitha majat, gjë që konsiderohet si sfida më e vështirë në alpinizëm.