Bashkimi Evropian dhe Franca kanë shpallur një paketë stimujsh prej 500 milionë eurosh me synimin për të tërhequr studiues dhe shkencëtarë ndërkombëtarë në Evropë, në një moment kur Shtetet e Bashkuara po përballen me kriza të thella në arsimin e lartë dhe konflikt mes administratës Trump dhe universiteteve kryesore.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti francez Emmanuel Macron bënë njoftimin të hënën gjatë një konference në Universitetin Sorbonne në Paris, ku u bënë thirrje kërkuesve shkencorë nga e gjithë bota që të zhvendosen në Evropë për të punuar në kushte të lirisë akademike dhe mbështetjes institucionale.

“U bëjmë thirrje studiuesve në mbarë botën: nëse e doni lirinë, ejani dhe na ndihmoni të qëndrojmë të lirë,” deklaroi Macron.
Paketa financiare përfshin fonde për projekte kërkimore si dhe ndihmë për universitetet evropiane për të mbuluar kostot e sjelljes së studiuesve të huaj. Von der Leyen theksoi gjithashtu synimin që vendet anëtare të BE-së të rrisin investimet në kërkim dhe zhvillim në 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2030.
Franca do të kontribuojë me 100 milionë euro në këtë nismë, megjithëse ende nuk është e qartë nëse kjo shumë është shtesë ndaj fondit të përgjithshëm të BE-së apo pjesë e tij.

Ky njoftim vjen në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump ka shkaktuar përplasje të forta me sektorin universitar amerikan përmes masave si ngrirja e fondeve federale, anulimi i vizave për studentët ndërkombëtarë dhe nisja e hetimeve ndaj disa prej universiteteve më prestigjioze të SHBA-së.
Zyrtarët evropianë shpresojnë se situata aktuale në SHBA do të nxisë një “rrjedhje të trurit” drejt Evropës, ku liria akademike dhe mbështetja financiare për kërkimin shkencor konsiderohen përparësi strategjike.