Bashkimi Evropian ka thënë të premten se veprimet e ditëve të fundit të autoriteteve të Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele serbe në veri të vendit, rrezikojnë përshkallëzimin e tensioneve dhe dëmtojnë imazhin e Kosovës në botë.
Blloku evropian reagoi pak orë pasi Policia e Kosovës e mori në kontroll të premten një ndërtesë që përdorej nga Shërbimi Nacional për Punësim, i cili funksionon në kuadër të sistemit të Serbisë.
Aksioni i së premtes ishte pjesë e një sërë veprimesh të ndërmarra ditët e fundit, gjatë të cilave autoritetet e Kosovës kanë marrë nën kontroll ambientet e Ndërmarrjes Publike Komunale “Ujësjellësi Ibër”, të palestrës sportive, muzeut të qytetit dhe të disa institucioneve të tjera që funksionojnë në sistemin e Serbisë. Autoritetet zyrtare të Prishtinës i cilësojnë ato si struktura paralele dhe të paligjshme.
BE-ja i bëri thirrje kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, ta ndalë mbylljen e institucioneve paralele serbe në veriun e banuar me shumicë serbe, të tregojnë përmbajtje dhe të shmangë masa që mund të çojnë në përshkallëzim.