Nga Hermes Kafexhiu

Po të kishte një dritare që të shihnim çfarë ndodh në Parajsën e demokratëve, me siguri do ta gjenim Sokol Olldashin atje lart, në një qoshe qiellore, me cigaren e zakonshme në buzë dhe një buzëqeshje të hidhur në fytyrë. Po sheh poshtë, po shikon atë që mbeti nga një Parti Demokratike që ai dikur e deshi, e kritikoi dhe për të cilën nuk pranoi të përkulej. Dhe me siguri po mendon: “Kështu përfunduat ju, o trima me flamur blu?”

Atje lart, Sokolli qesh… me zë.

Qesh me Sali Berishën, që ende sillet si profet i një partie që e rrënoi me dorën e vet, duke e kthyer nga një alternativë në një relike. Si do ta tallte Sokolli Salën? Me elegancën therëse që e kishte në gjuhë:

“O Doktor, edhe në ditët e tua më të vështira, s’të vinte ndërmend se një ditë do bëheshe protagonist i një reality show politik ku votat numërohen me gishta dhe fraksionet shumëzohen me inate!”

Pastaj do hidhte vështrimin te Flamur Noka. E si mund të mos qeshte me këtë ushtar të përjetshëm të urdhrave të vjetra?

“Flamur, ti je ai që edhe kur nuk ke ç’të thuash, bërtet. Dhe kur ke ç’të thuash, prapë zgjedh të bërtasësh. Ti s’je zë, je zhurmë.”

Do hidhte ndonjë shikim edhe nga Albana Vokshi. “Albana, e vetmja gjë që ke trashëguar nga politika është patosi – por pa substancë. Të paktën dikur kishte gra që debatet i fitonin me mend, jo me mimikë.”

Por më shumë se të gjithë, do qeshte me Lulin.

Ah, Lulzim Basha! Kryetari i partisë që asnjëherë nuk ia mori vërtet timonin, por vazhdon të sillet si shoferi i vetes në një makinë pa timon.

“Lul, ti nuk ke humbur zgjedhjet. Ti ke humbur konceptin e drejtimit. E kam parë më shumë qartësi në një autobus plot me turistë sesa në drejtimin tënd. Çdo gafë jote është një monolog i zgjatur i një aktori që s’e di çfarë shfaqjeje po luan.”

Por pastaj… hesht.

Sepse atje lart, edhe tallja ka kufijtë e saj. Edhe ironia bëhet e rëndë kur sheh që poshtë, demokratët janë më të humbur se kurrë. Të përçarë, të mashtruar, të lodhur. Ai e di mirë që kjo nuk është më një parti politike, por një grup ish-idealistësh që rendin pas hijes së një partie që nuk ekziston më.

Ai do donte t’u jepte diçka. Një mesazh. Një shpresë. Një rrugëdalje. Por është atje lart, i pafuqishëm, sepse të vetmit që mund t’i japin frymë PD-së janë pikërisht ata që po e mbysin me ambicie personale, me inate të vjetra, me frikën nga e ardhmja dhe me mungesën e guximit për t’u ndarë nga e shkuara.

Sokolli atje lart nuk do fliste me fjalime. Do fliste me heshtjen që vret më shumë.

Sepse nuk ka dhimbje më të madhe për dikë që beson sesa të shohë se partia për të cilën luftoi është kthyer në një teatër kukullash, ku liderët flasin me zë të trashur, por zemrat e demokratëve rrahin me frikë dhe dëshpërim.

Dhe ndoshta nga ajo dritare e qiellit, ai do psherëtinte thellë:

“Ju nuk më lini të prehem në paqe. Sepse PD-ja për të cilën unë u përpoqa, nuk është kjo që po shihni. Dhe nëse nuk gjeni forcën ta rilindni, atëherë të paktën mos e përdhosni me emrin tim.”

Nëse do ta dëgjonim atë zë nga lart, do të ishte një thirrje:

As nga lart nuk ja u jap dot, atë që prej kaq kohësh po e prisni…Fitoren!/Lexo.al