Dinamo mposhti Egnatian në finalen e Kupës së Shqipërisë (pas penalltive) dhe pas 15 vitesh fitoi një trofe madhor, kjo pas kampionatit të shumë viteve më parë. Për Blutë suksesi në Kupë mungonte që prej sezonit 2002-03, teksa në “Elbasan Arena” festa ka qenë legjitime nga Ilir Daja dhe të besuarit e tij. Nga ana tjetër te Egnatia janë të zhgënjyer që humbasin sërish me penallti.

Edlir Tetova, trajneri i rrogozhinasve pas ndeshjes u shpreh se nuk fitoi ekipi më i mirë.

“Mendoj që kemi qenë më superiorë në lojë. Jam i mërzitur për mënyrën se si shkoi. Nuk është e thënë që një finale ta fitojë ekipi më i mirë. Penalltitë janë të paparashikuara. Është hera e tretë që ne humbasim pas gjuajtjeve të penalltive. Duhet ta kishim mbyllur ndeshjen në kohën shtesë’’, tha Tetova.

Ilir Daja i Dinamos tha se tanimë janë në histori, duke zbuluar edhe detaje nga vendosja në fushë që e bëri të ndihej keq.

“Është kënaqësi, Dinamo rikthehet mbas shumë vitesh, në marrjen e një trofeu. Ndihem mirë, gjithë karrierën time, e kam tek ky klub. Është një punë dhe sakrificë shumë e madhe. Edhe sot pavarësisht së nuk ishte një lojë e mirë, deri në fund nuk u dorëzuam. Një finale e fituar futet në histori, loja e mirë harrohet.

U detyruam që si rrallë herë në karrierën time si trajner, u dëtyruam të mbylleshim poshtë. Është loja që nuk e duroj fare, gjithë ato minuta nuk e di si e kam shtyrë, pa iu thënë lojtarëve që dilni dhe sakrifikoni. Më vinte keq për djerësën dhe sakrificën e tyre. Me kondicionin që kishim nuk kishim zgjidhje tjetër.

Final 4? Të them atë që mendoj tani mbi kalendarin edhe pse nuk dua të behem ne ditën e festës kritik, mund të ishte organizuar më mirë. Mund të bëhej një finalja të hënën ose të martën, për të pasur 1 ditë më shumë, për të punuar dhe për të rigjeneruar energjitë”, u shpreh Daja.

Tanimë dy skuadrat do përgatiten për fazën finale në Superligë, atë “Final 4” në kërkim të trofeut. Të diel Dinamo luan kundër Vllaznisë, ndërsa të hënën Egnatia përballet me Partizanin në gjysmëfinale.