Nga Mero Baze/
Nëse Elisa do të kishte vendosur në monitor seancën e fundit para zgjedhjeve të 11 Majit në Kuvend – krekosjet e Sali Berishës për fitore, gishtin e mesit të Flamurit drejtuar sallës, hakërrimat e Gaz Bardhit ndaj Ballukut, dhe mbi të gjitha “gafurrjen”, siç thuhet në Shqipërinë e Mesme, të Mediut me LaCivitën – dhe t’i shikonte sërish sot, do të kuptonte fare qartë se gjithë berishizmi ka një epërsi të padiskutueshme mbi politikën shqiptare.
Ata kanë cilësi që nuk i ka asnjë racë tjetër politike në Shqipëri. Dhe mes tyre, Sali Berisha është më unik se kushdo.
Ata kanë aftësinë të humbasin thellë, në mënyrën më poshtëruese, dhe të sillen sikur ty të kanë poshtëruar.
Kanë aftësinë të mos bëjnë asgjë nga ato që thonë dhe të sillen sikur faji është i yti.
Kanë aftësinë të të kërcënojnë që të mos guxosh t’u dalësh përballë, dhe pasi i zbyth, të sillen sikur turpi është i yti që i munde.
Po të shikoje fjalimet e tyre sot në Kuvend, dukej sikur ata kishin fituar thellë, por Edi Rama kishte një magjistar (jo LaCivita) që ua kishte përmbysur rezultatin nga e kundërta.
Po të shikoje fjalimet e tyre, dukej sikur nuk kishin marrë si parti 200 e ca mijë vota më pak, por më shumë.
Po të shikoje fjalimet e tyre, dukej sikur 170 mijë vota opozitare nuk i kishin marrë partitë e reja, por këta.
Po të shikoje fjalimet e tyre, nuk dukej që në disa qarqe rezultati shkoi përtej edhe parashikimeve të socialistëve.
Këta që premtuan se do ruanin votat dhe do demaskonin procesin, nuk kanë asnjë letër – asnjë të vetme – si provë. Por gjurmojnë Facebook-un e kundërshtarëve, mos gjejnë ndonjë tallje gjatë fushatës ta shesin si provë.
Këta që kishin komisionerë në çdo qendër, nuk kanë as kopje të procesverbaleve, sepse i kanë lënë edhe pa bukë atë natë. Nga dëshpërimi për këtë, akuzojnë Ilir Rusmalin si mercenar që nuk i lejon të marrin procesverbalet. Sot, Celibashi urdhëroi një drejtor të tij t’u japë në formë elektronike kopjet e procesverbaleve, dhe presim që nesër të dalë ndonjëri e të thotë që Celibashi nuk është mercenar.
Këta që shpresonin të fitonin nga diaspora – që voton në Perëndim, në një vend të lirë – u varrosën prej saj. Dhe tani e akuzojnë si të shitur tek Edi Rama.
Dhe për ta kuptuar gjithë këtë teatër, mjafton të shikosh grupin e vjetër parlamentar të tyre që do të jetë përsëri në Kuvend, ndërsa grupi i fituesve plebishitarë është rinovuar me mbi gjysmën e deputetëve. Për kaq bëhet lufta.
Kur shikon gjithë këtë skenë, kur shikon se si krekosen mbi humbjen e tyre, kur shikon se sa shumë përpjekje bëjnë për të treguar që nuk do të reflektojnë, kur shikon se janë shumë të vendosur t’i shkojnë deri në fund degradimit final të asaj çete që ka mbetur rreth Sali Berishës, bindesh përfundimisht se Sali Berisha ka një epërsi të rrallë mbi çdo politikan tjetër në këtë vend.
Ka një epërsi që arrin t’ua transmetojë edhe bashkëpunëtorëve të vet.
Nuk ka pikë turpi.
Dhe kjo… nuk është pak./Tema