Kampionët e Europës nuk zhgënjyen, por nuk ndodhi kështu me një emër të madh. Nëse Italia kaloi me sukses të plotë për në gjysmëfinale të Kampionatit Europian U17, Anglia pati fatin më të keq.

Shpikësit e futbollit u eliminuan, ndërsa Të Kaltrit mbeten favoritë për të mbrojtur titullin e fituar kampionatin e kaluar. Italianët ia dolën 2-1 ndaj Belgjikës në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Niko Dovana” në Durrës, ndërsa ky turne për herë të parë organizohet në Shqipëri.
Samuele Inaçio ishte lojtari më i mirë në fushë dhe shënuesi I dy golave për kampionët, të cilët u desh të përmbysnin rezultatin në pjesën e dytë.

Belgjika ishte në avantazh që nga minuta e 12-të me golin e De Vanemakerit. Anglia U17, ndërkaq, fitoi, por suksesi nuk mjaftoi.
“Tre luanët” e rinj triumfuan 4-2 ndaj Çekisë, e cila e mbylli Europianin me zero pikë po aq sa Shqipëria. Rezultati arriti në 4-0, përpara sesa çekët të reagonin modestisht.

Italia u kualifikua me 12 pikë të plota, pra me tri fitore në tri ndeshje, ndërsa Belgjika dhe Anglia ishin me nga 4 pikë, veçse “djajtë e kuq” kaluan për shkak të golaverazhit më të mirë në ndeshjet mes tre ekipeve të para. Në gjysmëfinale do të luajnë në 29 maj, Franca me Belgjikën dhe Italia me Portugalinë, ndërsa në grupin A u eliminua edhe Gjermania.