Falen të gjitha gjobat e vendosura përgjatë 10 viteve të fundit dhe të pambledhura deri në 15 janar të këtij viti. Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të qeverisë dhe bëhet fjalë për gjoba, të cilat janë vendosur nga data 1 janar 2015 deri më 30 nëntor 2024.
Vendimi i marrë përfshin të gjitha masat administrative të vendosura për ndërtime pa leje, parkim të gabuar apo tejkalim shpejtësie. Po ashtu parashikohet të falen gjobat e vendosura nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Inspektorati Shtetëror Shëndetësor. Fshirja e detyrimeve prek edhe të penalizuarit në muajt e pandemisë Covid-19.

Në vendim parashikohet që strukturat përgjegjëse në nivel qendror dhe rajonal, sipas ndarjes së tyre të përgjegjësive, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi përgatisin listat e individëve dhe/ose personave fizikë apo juridikë, ndaj të cilëve nga struktura përkatëse është vendosur masë administrative, e cila rezulton e paekzekutuar.
Nëse Qytetarët nuk do e gjejnë emrin në listë mund të kërkojnë pranë institucioneve përkatëse që të përfshihen në të.
Procesi i heqjes/fshirjes nga lista e subjekteve të debitorëve, sipas këtij vendimi, përfundon brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e tij.
