Nga Endrit Hora/

Në vend që të ngjallte entuziazëm dhe të sillte një valë shprese për të djathtën shqiptare, fushata e Sali Berishës për zgjedhjet e të 11 Majit 2025 është kthyer në një shembull klasik të vetë-sabotimit politik. Ai që u parashikua si një rikthim i bujshëm, i mbështetur nga një “ekspert ndërkombëtar” si LaCivita, është kthyer në një skandal me një faturë shumë të kripur, i cili po i kushton shtrenjtë jo vetëm Berishës, por gjithë Partisë Demokratike.

E trumbetuar si magjia që do të sillte në pushtet edhe një herë Sali Berishën, ajo marrëveshje me këshilltarin amerikan u zbulua të ishte jo vetëm një operacion i shtrenjtë financiarisht, por edhe një kthesë e fortë, edhe për realitetin shqiptar.

Shuma marramendëse e kontratës nuk ishte thjesht një shifër në letër – ajo eklipsoi çdo mesazh të fushatës, çdo miting, çdo dalje publike të Berishës, qoftë me kapele në kokë apo me buzëqeshje të sforcuar. Nuk eklipsoi vetëm përpjekjet e tij të marrëdhënieve publike, por edhe stërmundimin për të ribërë nga fillimi figurën e një lideri të transformuar.

Sepse publiku shqiptar nuk është indiferent, dhe fatura u bë publike shumë më herët nga ç’mund të kishte shpresuar vetë lideri i demokratëve, i cili devizën “pas meje u bëftë kiameti”, e ka pas ngahera të tijën në historinë e vet politike.

Dhe tani, në përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga skandali, PD-ja ka kthyer në skenë figurina të lodhura të politikës opozitare. Adriana Kalaja apo Albana Vokshi e ndonjë tjetër, janë kthyer në protagoniste të një parodie institucionale, me parada para SPAK-ut dhe padi me motive qesharake, që nuk bëjnë tjetër veçse shtojnë dozën e neverisë dhe që shëbejnë veç për të mbushur edicionet e lajmeve të televizionit dhe portalit me të njëjtin emër të familjes së kryetarit të PD.

Strategjia është e qartë: sulmi si mbrojtje, skandali mbi skandal, zhurmë për të mbuluar një tjetër zhurmë më të madhe.
Por problemi kryesor i Sali Berishës nuk është më Partia Socialiste. Madje, në mënyrë ironike, me këtë autogol të bujshëm, ai i ka bërë një shërbim të pakrahasueshëm kundërshtarit.

Problemin tani e ka me qytetarët shqiptarë dhe e ka sidomos me popullin opozitar.

E ka me ata që besuan tek rikthimi i tij duke menduar se kishte ndryshuar, që nuk ishte më Sali Berisha i 1996-ës, nuk ishte më Presidenti i Shqipërisë së djegur të 1997-ës, nuk ishte më kryetari i PD-së së tankeve të 1998-ës, nuk ishte më Kryeministri i Gërdecit të 2008-ës, nuk ishte më Sali Berisha i 21 janarit të 2011-ës.

Edhe pse kur sulmoi me shkopinj dhe molotovë selinë e Partisë Demokratike, ai ishte duke u treguar praktikisht që nuk kishte ndryshuar fare, ata sërish e besuan.

Por realiteti nuk vonoi të shfaqej. Skenari i njohur u përsërit edhe një herë: shpresa e rreme, entuziazmi i fryrë artificialisht, dhe në fund – disfata.
Njëherë e një kohë, përpara zgjedhjeve lokale, para selisë së PD ndodhte gjithmonë një ritual, që bazohej mbi një iluzion festiv dhe krijonte idenë e një triumfi absolut.

Në telefonat e Partisë Demokratike, ata që telefononin të parët ishin kryetarët e komunave dhe bashkive që dilnin fitues. Të tjerët, që kishin humbur, nuk telefononin kurrë. Dhe kështu, në ato orët e para të mbrëmjes dukej sikur PD kishte fituar zgjedhjet 100%, sepse vetëm lajme fitoresh vinin. Vallja zgjaste deri diku pas mesnate.

Por pastaj e vërteta “u binte kokës” dhe bashkë me të, zbrazëtia. Sot, atë valle simbolike po e heqin pa ardhur dita e votimit, disa personazhe groteske si Adriana, Albana e të tjerët, që nuk përfaqësojnë më as forcë politike, as ideal, as shpresë për të ardhmen.
Eshtë vallja e disfatës finale të Sali Berishës.