Sali Berisha nuk tërhiqet nga “beteja që sapo ka filluar” për atë që e quajti farsa elektorale e 11 majit, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për manipulimin e tyre.

Në konferencën e sotme kreu i selisë blu u kap me qarkun e Tiranës, pasi PD-ADSHM ka dorëzuar edhe ankimimin për qarkun në KAS, duke theksuar se zgjedhjet në kryeqytet u morën peng nga bandat kriminale, duke akuzuar deri te “Dabullët, Serjanët dhe Shullazët”, si lidhje të PS-së.

Por nuk mungoi edhe gafa e radhës apo ‘lëmshi’ prej tij, teksa Serjanit nuk po i kujtonte do emrin dhe kërkoi ndihmën e asistentëve në sallë.

“…Në Tiranë operative ishin banda e Xhabaftëve, e dokumentuar dhe e paraqitur para jush këtu me të gjithë veprimtarinë terroriste elektorale. ‘Hakmarrja për drejtësi’ është një bandë me degën e saj të fuqishme në Tiranë, pavarësisht se tani për tani, qendrën e kanë në Lushnje dhe kanë zëvendësuar bandën e Aldo Bares. Me Dabullët, Shullazin, Serjanin, si e kishte emrin eai tjetri (e harron), Serjani ka mbiemrin, që morën peng zgjedhjet e Tiranës. Tirana ishte e mbërthyer në një darë krimi nga organizata kriminale, serial killera e banda. Flluskat që shpërndan nga dita në ditë demaskojnë dështimin e plotë të farsës elektorale”, tha Berisha.

Edhe pse e gjithë Evropa me 52 liderë zbriti në Tiranë dhe uroi jo vetëm virtualisht, por edhe fizikisht kryeministrin Rama për zgjedhjet e 11 majit, duke firmosur yllin e BE-së në Samit, Berisha tha se “askush prej tyre nuk po e uron”. Madje sipas tij, “zgjedhjet do i ngecin në fyt Ramës”.

“Ka shpërndarë ftesa të shumta për të marrë urime, por urime nuk i vijnë. Telefonata të shumta, por statuset nuk plotësohen, urimet nuk i vijnë. I kanë ngecur në fyt zgjedhjet dhe do i ngecin edhe më keq. PD deklaron se nuk e njeh kurrë këtë farsë elektorale, do njoftojë komunitetin ndërkombëtar se çfarë përfaqëson farsa elektorale e vitit 2025, më e dështuara në Evropë… Rama plasi që të marrë një urim! Kudo i çon deputetëve të huaj që të nisin një urim, i them edhe emrat, por nuk i them se respektoj privacinë, s’i vjen askush”, tha ai.

Kryetari i PD, i pyetur nga gazetarët, u shpreh se po përgatisin raport për zgjedhjet dhe do e dorëzojnë në të gjitha selitë diplomatike në Evropë dhe Botë apo vendet e BE-së.

“Do bëjmë raport përfundimtar dhe do ia dërgojmë të gjitha vendeve anëtare të BE-së dhe Këshillit Evropës, në të gjitha institucionet ndërkombëtare, konventat, parlamentet, komisionet e jashtme, të drejtave të njeriut, OSBE-së. Ne do e paraqesim këtë raport në muajin qershor”, tha Berisha.