Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau sot në rrjetet sociale një album fotografik nga Dita Ndërkombëtare e Muzeve, e cila ishte një ditë plot aktivitete në sitet tona kulturore. Ministri Gonxhja tha se, ditën e djeshme sitet kulturore në të gjithë vendin pritën mbi 5 mijë vizitorë.

Aktivitetet kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Muzeve u organizuan në sitet arkeologjike, qendrat muzeore etj. DRTK Gjirokastër në bashkëpunim me Bashkinë Gjirokastër si dhe studentë të Historisë, Antropologjisë dhe Gjeografisë, Fakultetit Ekonomik pranë UGJ, organizuan aktivitetin me temë: “E ardhmja e muzeve në komunitetet që po ndryshojnë shpejt”, nē Muzeun Etnografik Gjirokastër.
Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat gjatë kësaj dite pati takime të hapura reflektimi dhe bashkëpunimi me akademikë, artistë e të rinj, me qëllim forcimin e lidhjeve midis muzeut dhe aktorëve lokalë që ndajnë pasionin për historinë, artin dhe trashëgiminë kulturore kombëtare.

Nē Ditën Ndërkombëtare të Muzeve hyrja në Parkun Arkeologjik Shkodër dhe Lezhë ishte falas për të gjithë vizitorët vendas dhe të huaj prej orës 09:00 deri më 19:00.

Aktiviteti “Kreativitet idesh të ilustruara në tablo” u organizua me bashkëpunimin e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë, Muzeut Kombëtar të Pavarësisë dhe nxënësve të shkollës 9-vjeçare “Naim Frashëri” Vlorë.

Ky bashkëpunim frymëzues dëshmon edhe një herë rëndësinë e edukimit përmes kulturës dhe rolin e pazëvendësueshëm që muzetë luajnë në krijimin e një shoqërie më të vetëdijshme dhe më krijuese.