Shembja e një marivi të madh minerali dhe inertesh zuri poshtë 29-vjeçarin Ardit Beshiri teksa po punonte me fadromë për sistemimin e mineralit të kromit, i cili përpunohej në fabrikën e pasurimit në Qafë Burrel, e cila menaxhohej nga një kompani kineze. Ngjarja ndodhi të shtunën e kaluar.

Në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, Policia e Komisariatit të Matit arrestoi drejtuesin teknik të kësaj firme për shkelje të rregullave të sigurimit teknik në punë.
Ndërkohë, për gjetjen e trupit të 29-vjeçarit kanë nisur kërkimet prej tre ditësh, por ende pa rezultat, pasi pajisjet e kërkimit nuk po e lokalizojnë vendin për shkak të masivit të madh të mineralit.

Ndërkohë, ka reaguar edhe babai i 29-vjeçarit, i cili kërkon ndihmë nga shteti për të shtuar forcat për gjetjen e trupit të djalit të tij. Në vendngjarje, prefekti i qarkut Dibër, Nezhmedin Shehu, u shpreh se po bëhen të pamundura për gjetjen e trupit, por është shumë e vështirë për shkak të volumit të madh të mineralit.