Një incident i rëndë ka ndodhur të enjten paradite në një shkollë fillore në lagjen Wilhelmstadt të Berlin-Spandau, Gjermani. Si pasojë, siç raportojnë mediat e huaja, një djalë 11-vjeçar është plagosur rëndë me thikë.

Autoritetet kanë bërë të ditur se ngjarja ndodhi rreth orës 11:30 në ambientet e shkollës.

Sipas tyre, viktima është dërguar menjëherë në spital dhe i është nënshtruar një operacioni urgjent dhe aktualisht, gjendja e tij raportohet e qëndrueshme.

Ndërkohë, policia e Berlinit ka identifikuar një 13-vjeçar si autor të dyshuar të sulmit.

Ai është aktualisht në kërkim, ndërkohë që në operacionin e kërkimit janë përfshirë helikopterë dhe njësi me qen nuhatës.

Raportohet se fëmija i dyshuar dhe viktima ishin në të njëjtën klasë në momentin e ngjarjes, dhe se motivi i sulmit mbetet ende i paqartë.

Pas sulmit, rreth 20 fëmijë të shkollës janë trajtuar për gjendje shoku nga ekipet e emergjencës dhe ekipet e thirrura në vendngjarje.