Populli zikaltër nuk e ka harruar kurrë këtë ndeshje. Triumfi 3-1 I Interit ndaj Barcelonës në gjysmëfinalen e Championsit në 2010, mbetet një nga kulmet e historisë së këtij klubi, edhe pse në kabinetin e trofeve janë tre Champions dhe 20 skudeto të Serisë A.
A do të mundet skuadra e sotme e trajnerit Simone Inzagi të përsërisë mrekullinë e atij 20 prillit?

Aspak e lehtë, pasi katalanasit kanë udhëtuar me avion, jo me autobus si atëherë kur shpërtheu vullkani në Islandë, ndonëse këtë herë do të jetë ndeshja e dytë, ndërsa atëherë ishte e para.
Kampionët e Italisë u stërvitën me besimin që të jep barazimi 3-3 në Katalonjë, edhe pse ata e dinë sesa vuajtën përballë gjenisë së Lamin Jamalit dhe yjeve të tjerë “blaugrana”.
Inzagi sqaroi se do të duhet të bëjë një zgjedhje në fund për të aktivizuar Lautaro Martinezin apo Pavarin, që kanë qenë të dëmtuar.
Çalhanoglu kthehet titullar, ndërsa Kristian Asllani padyshim që e nis nga stoli.
Tekniku italian ngacmohet se është I dyti trajner në historinë e Interit, pas legjendës Helenio Herrera, që luan dy gjysmëfinale të Championsit.
“E dimë mirë rëndësinë e kësaj ndeshjeje, siç e tha edhe Bastoni. Duhet të luajmë për tifozët. Duhet të zhvillojmë një ndeshje të madhe, ndaj një skuadre shumë të fortë, të cilën e kemi studiuar në thellësi. Kemi parë shumë video të tyre. E dimë forcën e tyre dhe do të duhet një Inter I madh, I përqëndruar, I vëmendshëm, I kthjellët sepse jemi përballë një rivali vërtet shumë të madh”.
Po tek Barcelona, çfarë presin?
Skuadra që ka fituar dy tituj deri tani udhëtoi gjithashtu me besim për në Milano, edhe pse trajneri Hansi Flik duhet t’u ketë kujtuar të rinjve të tij të talentuar, por paksa të papjekur se dy trofetë kryesorë, Championsi dhe La Liga, ende mbeten në diskutim.
Barçës I mungon mbrojtësi Kunde, por sulmuesi kryesor, Robert Levandovski, papritur është gati.
Në portë do të kthehet Shezni, edhe pse gardiani titullar, Ter Shtegen luajti në kampionat.
Flik u pyet nëse është I shqetësuar që ekipi i tij pëson gola.
“Ne analizojmë gjithçka. Ne analizojmë situatat. Ndoshta, nga jashtë duket sikur gjithçka është shumë mirë dhe se ne luajmë shumë bukur. Sidoqoftë, çdo gjë e ka një arsye. Arsyeja është që ne nuk kemi vendosjen e duhur, nuk kemi presionin e lartë. Ne nuk kemi lojtarët e duhur në këtë moment dhe ne duhet të ndryshojmë. Këtë duhet të bëjmë. E qartë që duhet të mbrohemi shumë më mirë në goditjet standard. Ne do të ndryshojmë diçka. Këtë mund të them deri tani”.
Barcelona mbetet favorite për t’u kualifikuar në finalen e Championsit, edhe pse barazoi në shtëpi.