E kemi thënë se vështirë që t’ia dalin në rrugët e Romës. Italia nuk pritet ta fitojë as këtë vit Xhiron e saj të çiklizmit, por të paktën etapa e 16-të e këtij edicioni solli një kënaqësi sado të vogël.

Në maloret e Alpeve, cakun e mbërriti I pari Kristian Skaroni i skuadrës Astana, veçse suksesi ditor ishte i plotë. Pas tij, sërish dy çiklistë të kaltër, Lorenco Fortunato, po i skuadrës Astana, dhe Xhulio Pelixarri.

U deshën 5 orë, 35 minuta e 5 sekonda për të përshkuar 203 kilometra, në një etapë të vështirë nga Piacola sul Brenta në qytezën e Venetos, San Valentino. Gjithsesi, Italia ka shpresë tek Damiano Karuzo për të fituar Xhiron, sepse ndodhet 2’40” pas vendit të parë, kur duhen edhe pesë etapa deri në fund.

Në vendin e parë mbetet meksikani Isak del Toro, që do ta mbajë veshur Fanelën Rozë, veçse realiteti ka ndryshuar. Britaniku Sajmën Jejts është vetëm 26” prapa, ndërsa ekuadoriani Rikard Karapaz ka një vonesë prej 31”. Pikërisht Karapaz ishte autor I një shpërthimi në etapën e 16-të, duke lënë prapa Del Toron dhe gjithë të tjerët.

Shanset janë të mëdha që Jejts ose Karapaz ta fitojnë Xhiron, kur janë në program edhe tre etapa malore. Ndërkaq, u mbyll aventura për atë që cilësohej favoriti, për sllovenin Primozh Rogliç, i cili u tërhoq nga gara. Dy rrëzime njëri pas tjetrit e dëmtuan 35-vjeçarin, ndërsa për lavdinë do të luftojnë të tjerë.Un