Kapen në Dubai, 3 shtetas të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale kundër personit, dhe përkrahës të të shumëkërkuarit Talo Çela.
Në kuadër të operacionit “Wanted”, u kapën shtetasit Ervis Daka, Maksim Koçi dhe Ado Xhika.

Ndaj Ervis Dakës, GjKKO, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal.
Ai akuzohet se: ka informuar shtetasit që kanë tëntuar të vrasin shtetasin K. P., në lidhje me lëvizjet e tij, ka siguruar kushtet/mjetet për vrasjen e shtetasit A. S, ka strehuar, ka transportuar dhe i ka siguruar kushtet e nevojshme për jetesë, shtetasit të shumëkërkuar Talo Çela.
Maksim Koçit, GjKKO, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer për interes dhe hakmarrje, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal.
Ai akuzohet se ka marrë pjesë në vrasjet e shtetasve K. K. dhe I. A, ka siguruar kushtet/mjetet për vrasjen e shtetasve A. S. dhe A. C. alias A. S, ka ndihmuar shtetasin e shumëkërkuar T. Ç., për t’u fshehur;
Ado Xhikës, GjKKO, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal. Ai akuzohet se: për rreth 2 vjet, ka ndihmuar shtetasin Talo Çela, duke i krijuar kushtet e nevojshme për jetesë dhe ka shoqëruar 1 gazetar, me qëllim intervistimin e shtetasit Talo Çela.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët, me qëllim ekstradimin e këtyre shtetasve, në Shqipëri.
