Komisioni Rregullator i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të mblidhet sot në orën 17:00 për të shqyrtuar një projektvendim të rëndësishëm në lidhje me procesin zgjedhor në qarkun Vlorë.
Mbledhja është thirrur me kërkesë të anëtarit të Komisionit Rregullator, z. Arens Çela, dhe ka në fokus shqyrtimin e projektvendimit “Për shtyrjen e orarit të votimit për 55 qendra votimi në qarkun Vlorë”, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare që po zhvillohen sot në të gjithë vendin.
Ende nuk janë bërë publike arsyet zyrtare për propozimin e shtyrjes së orarit në këto qendra, por mësohet se vendimi vjen në përgjigje të problematikave të konstatuara në terren, të cilat mund të kenë ndikuar në zhvillimin normal të procesit të votimit.
KQZ pritet të dalë me një vendim pas diskutimeve në mbledhjen e sotme, ndërsa situata në terren mbetet në vëzhgim të vazhdueshëm nga strukturat përkatëse.