Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi ka folur për gazetarët pas takimit të tij me ambasadorin e BE, Silvio Gonzato në ambientet e KQZ.

Celibashi: Takimi ishte për të dhënë informacione në lidhje me përgatitjen e zgjedhjeve. Shkëmbyem mendime për përgatitjet. Jemi në proces bashkëpunimi e mbështetjeje të vazhdueshme nga BE. Me siguri do të vijojë edhe pas zgjedhjeve. Shqipëria është në një moment të rëndësishëm të integrimit, ndaj institucionet dhe partitë duhet të reflektojnë mbi përgjegjësitë tona për të pasur zgjedhje me integritet.

Këtë javë kemi pasur në mënyrë periodike komunikime konkrete me SPAK për problematika të ndryshme dhe denoncime, si dhe informacione të ardhura në KQZ. Brenda 24 orësh ia kemi dalë të vëmë në dispozicion gjithçka që na është kërkuar.