Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë intensifikuar përpjekjet për hetimin dhe dokumentimin e krimeve zgjedhore në Qarkun e Elbasanit, një nga zonat më të ndjeshme dhe problematike gjatë proceseve elektorale të fundit.

Në këtë kuadër, një delegacion i përfaqësuesve të lartë të SPAK dhe BKH zhvilloi një takim të rëndësishëm pune me drejtuesin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, Kreshnik Ajazi. Takimi u fokusua në shkëmbimin e informacioneve operacionale, shqyrtimin e ecurisë së çështjeve penale të hapura dhe analizimin e praktikave hetimore që po ndiqen për identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve të përfshirë në manipulime zgjedhore.

Burime pranë hetuesve bëjnë me dije se po hetohen disa raste konkrete që lidhen me blerje vote, kërcënime ndaj votuesve, përdorim të paligjshëm të burimeve shtetërore gjatë fushatës si dhe përfshirje të personave me precedent penal në fushatat elektorale si dhe që është bërë kontroll në banesën e një deputeti socialist të Elbasanit. Kontrolle janë ushtruar edhe në banesën e një biznesmeni, ku janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme parash si edhe dy telefona celularë.