Ylli i Barcelonës, Lamin Jamal, është prej kohësh në qendër të vëmendjes, qysh dy vjet më parë kur debutoi me fanellën blaugrana pa mbushur mirë 16 vjeç.

E vazhdoi “namin” e tij verën e vitit 2024 me Spanjën kur arriti të fitonte titullin kampion Europe, sapo kishte mbushur 17 vjeç. Por ai e ka çuar në një stad tjetër diskutimin rreth tij, pas paraqitjes së bërë në ndeshjen e vajtjes gjysmëfinale në Ligën e Kampioneve kundër Interit. Një paraqitje prej një lojtari që vjen nga një botë tjetër dhe që i ka mahnitur të gjithë. Ish-lojtari i Barcelonës, Tierri Henri, tashmë në rolin e opinionistit, ka ndarë një sekret gjatë një bisede me Lamin Jamal.

“Kam biseduar me Lamin dhe ma ka bërë të qartë se cila është dëshira, qëllimi i tij. Ai dëshiron që të argëtojë publikun, të argëtojë tifozët”, theksoi Henri.

Ndërkaq, vetë Lamin Jamal ka folur pas barazimit 3-3 ndaj Interit ku ai ishte protagonist me një gol dhe dy shtylla të goditura, pa folur për një sërë veprimesh të mrekullueshme. Duke folur për ndeshjen, Jamal, me një ton serioz, deklaroi se i mbeti pishman që në fund Barça nuk arriti të fitonte, por shprehu bindjen e tij se katalanasit do të kualifikohen për në finale në takimin e kthimit në Milano. Lojtari i ri shpjegoi gjithashtu se gjatë nxehjes vuri re diçka të çuditshme kur gjuajti, dhe për këtë arsye u largua duke u kapur fort në zonën e aduktorit. Por mjekët i dhanë dritën jeshile për të luajtur.

NDESHJA – “Mendonim se mund ta fitonim ndeshjen, por gjithsesi, le të përqendrohemi te ndeshja e dytë dhe fitorja atje”.

DËMTIMI GJATË NXEHJES – “Vura re diçka të çuditshme me një gjuajtje. U futa brenda për t’u ngrohur pak më shumë dhe pastaj isha në gjendje të luaja mirë. Natyrisht, pasi mora dhe miratimin nga stafi mjekësor i ekipit”.

ZEMËRIMI – “Në fakt, më shumë se i zemëruar jam pak i dëshpëruar. Gjithmonë mendoj për fitoren, është gjëja më e rëndësishme. Kjo është arsyeja pse isha pak i mërzitur. Tashmë po mendoj për ndeshjen e kthimit”.

NDESHJA NË ITALI – “Do të japim gjithçka në Milano. Jemi një hap larg finales. Ishim superiorë, por nuk funksionoi. Do të fitojmë atje”.