Analisti Mentor Nazarko, duke komentuar kontratën e lobimit 6 milionë dollarë të PD-së në SHBA u shpreh në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV se këto janë para që tentojnë të zhbëjnë një qëndrim të qartë amerikan, ndërkohë që e konsideroi të paprecedentë shifrën që do të paguhet.
“Ka probleme komplekse kjo kontratë. Është e paprecedentë që një parti që vjen nga një vend i vogël të paguajë një shumë kaq të madhe, e pakrahasueshme me shumat që jepen qoftë drejtpërdrejt apo jo drejtpërdrejtë. Është e paprecedentë dhe ngre dyshime mbi origjinën e parave. Është fyerje për SHBA.

Është një lloj autogoli sepse deri tani, PD po na mbushte mendjen se problemi ka qenë me demokratët, Blinken apo ambasadorët këtu. Kurse tani që përdoret shifër kaq e madhe, me një administratë që duhet të jetë kundër asaj paraardhëse, po tregohet se problemi është më serioz.
Pse ka probleme transparence? Po të ishte nga shqiptarët e Amerikës, ata nuk kanë frikë t’i deklarojnë kontributet e tyre.
Kjo shifër e madhe është e shtrirë në tre vjet. Duhet të imagjinohet, që pas 12 majit do të kemi fitues të qartë. Imagjinoni nëse fiton PS dhe Berisha të dorëhiqet. Supozohet që Berisha të vijojë të qëndrojë në pushtet. Por këto janë para që tentojnë të zhbëjnë një qëndrim të qartë amerikan dhe u duk në reagimin, që nuk ishte menduar se do të ishte i tillë, i Grenell dhe u shpërnda nga djali i Trump, ku thuhej se interesi i SHBA është stabiliteti. Nuk kishim një qëndrim të tillë. Një pozicionim i tillë, është më i qarti përkundrejt Ballkanit dhe Shqipërisë. Kjo është mbështetje për Ramën, i cili me gjithë mëkatet e mundshme, duket sikur edhe nga BE edhe nga administrata e SHBA, shihet si garant i stabilitetit. Pra duket se duhen shumë para për të zhbërë atë që shihet si garant i stabilitetit”, tha Nazarko.