Administrata Tatimore ka nisur kontrollet për qytetarët që zotërojnë mjete luksi dhe të ardhurat që ata kanë.

Kjo nismë synon të analizoj burimet financiare të individëve të cilat në rastet kur nuk justifikojnë pasurinë mund të bëhen pjesë e një hetimi administrativ. Nga të dhënat e vëna në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor deri më tani rezulton se 400 automjete luksi janë blerë gjatë vitit 2023-2024 nga persona të cilët nuk kanë të ardhura të deklaruara!

Administrata Tatimore u sugjeron individëve të deklarojnë të ardhurat e përdorura për blerjen e këtyre mjeteve në mënyrë që të shmangin penalitetet.

Të gjithë individët që zotërojnë automjete të kategorisë luksoze do të përfshihen në procesin e verifikimit nëpërmjet analizës së: Të ardhurave të deklaruara ,përputhshmërisë së tyre me vlerën e pasurive të zotëruara si dhe dokumentacionin justifikues të burimit financiar.

Po ashtu Administrata tatimore ka nënshkruar një marrëveshje me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, në bazë të së cilës është mundësuar kërkimi i të dhënave mbi mjetet e tatimpaguesve në kohë reale në sistemin tatimor.

Tatimpaguesit që nuk paguajnë në kohë detyrimet e tyre, rrezikojnë bllokim të automjeteve personale apo të biznesit.
Tatimet ju bën thirrje tatimpaguesve të përmbushin detyrimet tatimore në mënyrë vullnetare dhe të mos tjetërsojnë pasuritë e tyre për të shmangur këto detyrime.