Ka ikur me kohë epoka e Migel Munjozit. Reali i Madridit vazhdon të fitojë trofe, madje shumë, por trajnerët spanjollë gjithnjë e më pak po ia dalin në “Santiago Bernabeu”.

I fundit që triumfoi ishte Visente Del Boske, tekniku i famshëm iberik që ishte në stol në triumfin në Champions në 2002 dhe në fitoren e titullit në La Liga në 2003.

Papritur, presidenti Florentino Perez vendosi ta shkarkonte, i bindur se projekti i tij i galaktikëve kërkonte një trajner më pak tradicional, dhe më shumë modern.
Gjithsesi, vendimi I njeriut që edhe sot komandon në klub doli një gabim.
Natyrisht, Reali fitoi, por këtë e bëri me të huaj si Zhoze Murinjo, Karlo Ançeloti apo Zinedin Zidan.

U morën sidomos Liga të Kampionëve, plot gjashtë, si dhe disa tituj kampion në Spanjë. Teknikët spanjollë dështuan të gjithë, si Rafa Benitez, Hulen Lopetegi, I famshmi Kamaço apo Huande Ramos.
Jo vetëm kaq, por pas Del Boskes, u desh të pritej 12 vjet për Championsin.
Këtë mallkim spanjoll ndoshta mund ta largojë ai që është favoriti për të pasuar Karlo Ançelotin në stol, Shabi Alonso.

Një iberik që fitoi titullin kampion vjet në Bundesligë me Leverkusenin, madje për herë të parë në histori dhe pa humbur asnjë ndeshje, si dhe mori edhe Kupën gjermane, dhe arriti në finalen e Ligës së Europës.