Mick Schumacher, djali i kampionit të shtatë herë të F1 Michael Schumacher, mund të kthehet në garat e Formula 1 në vitin 2026 me ekipin e ri amerikan, Cadillac.
Sipas raporteve, ai ka zhvilluar bisedime të fshehta me drejtues të ekipit gjatë Çmimit të Madh të Miamit. Cadillac, i mbështetur nga General Motors, do të bëhet skuadra e 11-të në F1 dhe planifikon të debutojë në vitin 2026.
Sipas Bild, Sergio Perez është tashmë i angazhuar si piloti kryesor, ndërsa Mick Schumacher është një nga kandidatët për vendin e dytë. Ai ka shprehur dëshirën për t’u rikthyer në F1 dhe ka theksuar se “gjithçka është një mundësi” në këtë fazë .
Schumacher, i cili aktualisht garon në Kampionatin Botëror të Qëndrueshmërisë me Alpine, ka pasur dy sezone të vështira me Haas në vitet 2021 dhe 2022. Pas kësaj, ai ka shërbyer si pilot rezervë për Mercedes dhe McLaren.

Në vitin 2025, ai ka vendosur të përqendrohet në garat e qëndrueshmërisë me Alpine, duke ruajtur shpresën për një rikthim në F1 në vitin 2026 .
Cadillac ka shprehur interes për të angazhuar një kombinim të eksperiencës dhe rinisë në skuadrën e tij, duke e parë Mick Schumacher si një opsion tërheqës për të plotësuar këtë strategji. Ai ka një emër të njohur globalisht dhe një lidhje të fortë me trashëgiminë e Schumacher, faktorë që mund të ndihmojnë ekipin të depërtojë në tregun amerikan .
Nëse bisedimet me Cadillac përfundojnë me sukses, Mick Schumacher mund të bëhet një nga piloti i parë i skuadrës amerikane në Formula 1, duke shënuar një rikthim të rëndësishëm në garat e elitës së automobilizmit.