Agjencia britanike “Reuters” e lajmeve vijon që të pasqyrojë rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në vendin tonë. Nën titullin “Ajo që prisnim, Partia Socialiste e Shqipërisë kryeson në zgjedhjet parlamentare”, kjo media prestigjioze sjell opinionet e votuesve shqiptare, që shpresojnë tashmë në një integrim më të shpejtë të vendit në familjen evropiane.
“Reuters” thekson se bazuar në rezultatet e deritanishme të zgjedhjeve Kryeministri Rama duket se është në rrugën e duhur për një mandat të katërt qeverisës, pasi Partia e tij Socialiste kryeson në raport me rivalet e saj politike. Përmendet po ashtu misioni që Rama i ka vënë vetes për ta anëtarësuar Shqipërinë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, një premtim rreth të cilit ai e përqendroi fushatën e tij elektorale.
Agjencia e lajmeve “Reuters” ndalet edhe tek fakti se rreth 200,000 shtetas shqiptarë që jetojnë jashtë vendit votuan të dielën, hera e parë që diaspora mundi të votojë në distancë.