Trupat e Forcës Tokësore shqiptare u nisën në orët e para të mëngjesit të sotëm, nga garnizoni i Zall-Herrit drejt Qendrës së Stërvitjes në Bizë, duke shënuar fillimin zyrtar të stërvitjes së përbashkët “Defender Europe ‘25”.

Kjo stërvitje ndërkombëtare, një nga më të mëdha dhe më komplekset e dekadës së fundit në Evropë dhe Afrikë, zhvillohet nën udhëheqjen e Komandës Evropiane të SHBA (EUCOM), në bashkëpunim të ngushtë me vendet aleate dhe partnere të NATO-s. Shqipëria, si një nga vendet pritëse kryesore, luan një rol strategjik në garantimin e suksesit të operacioneve dhe zhvillimeve të planifikuara.

“Defender Europe ‘25” synon rritjen e ndërveprimit mes forcave të armatosura aleate, forcimin e gatishmërisë ushtarake dhe aftësive për të reaguar shpejt ndaj çdo kërcënimi të mundshëm në hapësirën euroatlantike.

Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë mbeten të angazhuara për të siguruar një mjedis operacional të suksesshëm dhe për të kontribuar në mbrojtjen kolektive, stabilitetin rajonal dhe paqen ndërkombëtare.