Një detaj sa absurd aq edhe tronditës ka dalë në dritë gjatë gjyqit të bujshëm ndaj reperit dhe producentit të njohur amerikan, Sean “P. Diddy” Combs.

Në seancën e fundit gjyqësore të mbajtur në New York, emri i ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, është përmendur në mënyrën më të papritur të mundshme: në kontekstin e një pilule ekstazi.

Ish-asistenti i Diddy-t, David James, ka dëshmuar se artisti mbante gjithmonë me vete një çantë të mbushur me dhjetëra lloj pilulash, përfshirë ekstazi, Percocet, Viagra dhe suplemente të tjera. Por ajo që shokoi sallën ishte përshkrimi i një pilule të veçantë: një tabletë ekstazi me fytyrën e Barack Obamës të stampuar mbi të!

“Kishte të gjitha llojet e pilulave, por njëra kishte foton e presidentit mbi të,” u shpreh dëshmitari. Kur prokurorja i kërkoi të saktësonte se për cilin president bëhej fjalë, ai u përgjigj prerë: “Presidentin Obama.”

Sipas James, P. Diddy i mbante këto pilula në çantën e tij personale të tualetit gjatë qëndrimeve në hotele, duke i përdorur rregullisht në kuadër të jetës së tij ekstravagante, të mbushur me festa, alkool dhe orgji.

Ky detaj absurd vjen mes një sërë akuzash të rënda ndaj Diddy-t, i cili po përballet me akuza për shantazh, trafikim njerëzor dhe transportim për prostitucion. Ai akuzohet gjithashtu për abuzim seksual dhe fizik ndaj disa viktimave, përfshirë ish-partneren e tij Cassie Ventura.

Vetë Diddy ka mohuar të gjitha akuzat, por gjyqi po nxjerr çdo ditë detaje gjithnjë e më tronditëse nga jeta private dhe zakonet e errëta të manjatit të muzikës.