Autoritetet në mbarë botën bashkëpunuan këtë javë për të shkatërruar disa nga programet keqdashëse më të rrezikshme në botë.
Në total u identifikuan 37 të dyshuar dhe u morën urdhër-arreste ndërkombëtare kundër 20 individëve të akuzuar penalisht. Mbi 300 servera në të gjithë botën u mbyllën dhe 650 domene u neutralizuan, njofton Europol.
Gjatë javës së aksionit, u sekuestruan 3.5 milionë euro në kriptomonedha, duke e çuar totalin e kriptomonedhave të sekuestruara gjatë operacionit “Endgame” në 21.2 milionë euro.
Autoritetet gjermane, franceze, holandeze, daneze, britanike, amerikane dhe kanadeze bashkuan forcat për të ndërmarrë veprime kundër varianteve më të rrezikshme të malware-it në botë dhe autorëve që qëndrojnë pas tyre. Eurojust dhe Europol kanë mbështetur operacionin e autoriteteve kundër këtij programi keqdashës të rrezikshëm që nga viti 2024.