Rusia ka përjashtuar Vatikanin si vendin pritës për bisedimet e radhës me Ukrainën për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi.
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se nuk është shumë “elegante” që Vatikani, një vend katolik, të presë bisedimet mes dy kombeve ortodokse.
“Dua vetëm ta them, në mënyrë që mos të shpenzohen burime intelektuale për opsione që nuk janë realiste. Imagjinoni Vatikanin si një vend për negociata – nuk është shumë elegante, që vendet ortodokse të diskutojnë problemet në një vend katolik”, thotë Lavrov.
Papa Leoni XIV e ka ofruar Vatikanin si vendin për të pritur bisedimet mes palëve, një ide që u mbështet edhe nga presidenti amerikan Donald Trump.
Lavrov shtoi se koha për raundin e dytë të bisedimeve pas atij në Stamboll, nuk është përcaktuar ende.
Ministri rus tha se Moska nuk e ka refuzuar kontaktin me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, megjithatë sipas Lavrov, ai e ka humbur legjitimitetin, pasi mandati i tij përfundoi vitin e kaluar.
Ndërkohë Ukraina dhe Rusia filluan zbatimin e marrëveshjes që u arrit në Stamboll për të shkëmbyer 1000 të burgosur lufte.
390 të burgosurit e parë u shkëmbyen nga secila palë në fazën e parë. Zelensky tha se shkëmbimi i të burgosurve do të vazhdojë në fundjavë.