Ish-shefi i CIA-s dhe gjenerali amerikan me përvojë ushtarake, David Petraeus, paralajmëroi se presidenti rus Vladimir Putin mund të ndërmarrë një sulm ndaj një shteti të NATO-s nëse arrin sukses ushtarak në Ukrainë.
Ai tha se Lituania është më e rrezikuara, duke shtuar se Moska mund të ndërmarrë një provokim ndaj saj për të testuar vendosmërinë e Perëndimit ose si hap drejt një ofensive më të gjerë.
Duke folur në institutin “Policy Exchange” në Londër, Petraeus kritikoi reagimet e ngadalta të Perëndimit ndaj nevojave të Ukrainës. Ai tha se vonesat në dërgimin e tankeve Abrams, avionëve F-16 dhe armatimeve të tjera i kanë kushtuar shumë Ukrainës në fushën e betejës.
Ne duhet të kishim vepruar më herët dhe më fuqishëm për të ndryshuar dinamikën në fushëbetejë dhe për t’i treguar Moskës se kostoja e agresionit është e papranueshme”, deklaroi Petraeus.
Ai kritikoi si ish-presidentin Joe Biden për hezitimet në armatosjen e Ukrainës, ashtu edhe presidentin Donald Trump për qëndrimin e butë ndaj Putinit. Petraeus tha gjithashtu se Britania duhet të tërhiqet nga marrëveshjet ndërkombëtare që ndalojnë përdorimin e municioneve thërrmuese, pasi sipas tij, ato mund të shërbejnë si një mjet i fuqishëm parandalues.