Ambasadori palestinez në Kombet e Bashkuara, Riyad Mansour, mbajti një fjalim prekës para Këshillit të Sigurimit, ku denoncoi situatën humanitare katastrofike në Gaza, duke vënë theksin te fëmijët që po vuajnë nga uria për shkak të bllokadës izraelite.

Me zërin që i dridhej, Mansour foli për historinë rrëqethëse të Dr. Alaa al-Najjar, një mjeke palestineze që humbi nëntë nga dhjetë fëmijët e saj. Ata arritën në spitalin ku ajo punonte, por ajo i gjeti të djegur. Në një moment dramatik, diplomati vendosi duart mbi fytyrë dhe goditi tavolinën me grusht, duke ndërprerë fjalën nga emocioni.

“Ajo humbi 9 nga 10 fëmijët e saj. Një tmerr dhe traumë që mendja nuk mund ta kuptojë, zemra nuk mund ta përballojë. Mijëra fëmijë po vdesin nga uria. Imazhet e nënave që përqafojnë trupat e tyre, duke u përkëdhelur flokët, duke folur me ta, duke u kërkuar falje. Është e padurueshme! Si mund të ndodhë kjo? Më falni. Kam nipër e mbesa. E di se çfarë nënkuptojnë ata për familjet e tyre, dhe të shohësh këtë situatë mbi palestinezët pa pasur zemër për të bërë diçka, është përtej aftësisë së çdo qenieje normale njerëzore për ta toleruar. Flaka dhe uria po përpin fëmijët palestinezë,” tha ai.
Sipas Mansourit, që nga rifillimi i ofensivës ushtarake izraelite në Gaza pas prishjes së armëpushimit në mars, janë vrarë mbi 1,300 fëmijë dhe rreth 4,000 të tjerë janë plagosur.

Ndërkohë, situata në terren po përkeqësohet. Një depo e Kombeve të Bashkuara në Gaza është thyer nga turma të mëdha njerëzish të uritur. Pamjet filmike tregojnë njerëz që vrapojnë për të siguruar ndihmat, ndërsa dëgjohen të shtëna armësh në sfond.

Programi Botëror i Ushqimit njoftoi se sipas raportimeve të para, dy persona humbën jetën dhe disa të tjerë u plagosën gjatë trazirave në depon qendrore të Gazës. Organizata bëri thirrje për një rritje urgjente të ndihmave ushqimore për të shmangur urinë masive.
Përballë presionit ndërkombëtar në rritje, Izraeli ka lejuar hyrjen e një sasie të kufizuar ndihmash humanitare në Gaza, përmes dy kanaleve: Kombeve të Bashkuara dhe Fondacionit Humanitar të Gazës, të mbështetur nga SHBA-të.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se administrata e tij po punon për të përshpejtuar procesin e shpërndarjes së ushqimit për civilët palestinezë në Gaza.