Antimafia italiane pritet të trajnojë oficerët e Policisë Shqiptare në luftën kundër krimeve në fushën e kriptomonedhave. Premtimi u bë nga drejtori i hetimit Antimafia Michele Carbone gjatë një takimi me drejtorin e Policisë së Shtetit, Ilir Proda në Tiranë.
Gjatë këtij takimi, dy drejtuesit vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm ndërinstitucional mes Policisë së Shtetit, DIA-s dhe Policisë italiane.
Carbone çmoi profesionalizmin e Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar dhe theksoi se ngritja dhe funksionimi i 14 skuadrave të përbashkëta hetimore dhe operacionet e kryera deri tani, janë dëshmi e angazhimit reciprok.
Dy drejtuesit vlerësuan gjithashtu kontributin e Zyrës së Ekspertit të Sigurisë pranë Ambasadës italiane në Tiranë dhe të Zyrës së Interforcës italiane në Shqipëri, për rolin e tyre në koordinimin dhe nxitjen e bashkëpunimit.