TIRANË- Shteti shqiptar do të jetë aksioner në projektin inovativ në fushën e inteligjencës artificial që do të zhvillohet nga shqiptarja Mira Murati.
Nisur nga kjo buxheti i shtetit është rishikuar për herë të parë për këtë vit për të financuar projektin “Machine Thinking Lab”me një vlerë prej 10 milionë dollarësh.
Zërat e tjerë në buxhet nuk kanë ndryshuar ndërsa objektiv vijon të mbetet ulja e mëtejshme e borxhit publik. Duke qenë në prag të zgjedhjeve parlamenatre qeveria ka vënë në dijeni për rishikimin e buxhetit edh Komisionin qendror të Zgjedhjeve.

Në relacion thuhet se ky është një projekt i rëndësishëm i cili do të krijojë një potencial të rëndësishëm teknologjik dhe të ardhura ekonomike për vendin, duke ofruar përfitime strategjike për Shqipërinë.
Me anë të kësaj nisme synohet që të tërhiqen investitorë ndërkombëtarë duke e pozicionuar vendin tonë si një qendër për kërkimin dhe zhvillimin e AI.
Sipas dokumentin financimi prej 10 milionë dollarë do të mbulohet nga të ardhurat e fituara nga Agjencia e Adminsitrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe konfiskuara.
Kryeministri Edi Rama e njoftoi një nismë të tillë edhe më herët ndërsa deklaroi se Mira Murati ka ofruar asistencën e saj për integrimin në në BE. Aktualisht Shqipëria po e përdor Inteligjencën Artificiale në përkthimin dhe përafrimin e legjislacionit tonë me atë europian.
Mira Murati është një inxhiniere dhe ekzekutive shqiptare e teknologjisë, e njohur për rolin e saj kyç në zhvillimin e inteligjencës artificiale.
Ndërkohë që qeveria po përgatitet për të integruar inteligjencën artificial në shumë sektorë të ekonomisë përfshirë prokurimet apo administratën tatimore.