Një valë e re protestash po trondit Izraelin, teksa mijëra rezervistë të ushtrisë kanë nënshkruar letra publike duke kërkuar përfundimin e luftës në Gaza dhe arritjen urgjente të një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve.Këto zëra të reja kundërshtuese i shtohen një klime të nxehtë politike, ndërsa presioni ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu rritet në mënyrë të ndjeshme.
Që nga fillimi i prillit, mbi 12,000 rezervistë nga të gjitha degët e ushtrisë izraelite – përfshirë njësitë elitare të luftimit dhe inteligjencës – kanë bërë thirrje për ndërprerjen e operacioneve ushtarake në Gaza. Sipas tyre, vazhdimi i luftës nuk ndihmon në arritjen e qëllimeve të deklaruara dhe përkundrazi, rrezikon jetën e 24 pengjeve që besohet se mbahen ende të gjalla nga Hamasi.

“Ne po humbasim jo vetëm pengjet, por edhe rrugën tonë si shtet. Kjo nuk është më një çështje politike. Kjo është një çështje kombëtare dhe morale”,tha Danny Yatom, ish-drejtor i Mossadit dhe një ndër firmëtarët e letrave. Protestat janë intensifikuar veçanërisht në Tel Aviv, ku qytetarët mbajnë pankarta që bëjnë thirrje për armëpushim dhe tregojnë imazhe të fëmijëve palestinezë të vrarë. Policia u përpoq të ndalonte shfaqjen e këtyre imazheve më 20 prill, por pas reagimeve të forta publike, u tërhoq.
Ndërkohë, kryeministri Netanyahu mbetet i palëkundur në qëndrimin e tij, duke deklaruar se presioni ushtarak është i vetmi mjet për të siguruar kthimin e pengjeve dhe shkatërrimin e Hamasit. Ai i ka quajtur protestuesit “elementë periferikë dhe anarkistë”, por sondazhet tregojnë një mbështetje gjithnjë e më të gjerë publike për armëpushim dhe diplomaci.