Departamenti amerikan i Shtetit ka ndalur përkohësisht planifikimin e intervistave të reja për viza për studentët e huaj që synojnë të studiojnë në SHBA, pasi po përgatitet ta zgjerojë kontrollin mbi aktivitetin e tyre në rrjetet sociale, thanë zyrtarët, raportojnë Associated Press dhe BBC.

Një zyrtar amerikan tha në kushte anonimiteti të martën se kjo ndalesë është e përkohshme dhe nuk vlen për aplikantët që tashmë e kanë të caktuar intervistën për vizë. Në një kabllogram të nënshkruar nga sekretari i Shtetit, Marco Rubio dhe që është siguruar nga Associated Press thuhet se Departamenti i Shtetit do të lëshojë udhëzime për kontrollin e zgjeruar të rrjeteve sociale.

“Me efekt të menjëherë – në kuadër të përgatitjeve për zgjerimin e kontrollit të detyrueshëm të rrjeteve sociale – seksionet konsullore nuk duhet të shtojnë kapacitete shtesë për takime për viza për studentë apo vizitorë këmbimi, derisa të lëshohen udhëzimet e reja”, thuhet në kabllogram.
E pyetur për këtë ndalesë gjatë një konference për shtyp të martën, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, tha se SHBA-ja përdor të gjitha mjetet e mundshme për t’i verifikuar aplikantët për viza.

“Ne do të vazhdojmë të përdorim çdo mjet që kemi për të vlerësuar se kush vjen këtu – qofshin studentë apo të tjerë”, tha Bruce.

Ky veprim, i raportuar fillimisht nga Politico, është pjesë e përpjekjeve të administratës Trump për të ashpërsuar kontrollet ndaj studentëve ndërkombëtarë. Javën e kaluar, administrata Trump hoqi të drejtën e Universitetit Harvard për të regjistruar studentë ndërkombëtarë, duke e përjashtuar atë nga programi që lejon kolegjet të sponsorizojnë viza për studentë të huaj.

Ky vendim u kundërshtua menjëherë në gjykatë dhe aktualisht është pezulluar nga një gjyqtar federal. Në pranverë, administrata revokoi gjithashtu statusin ligjor të mijëra studentëve të huaj që ndodheshin në SHBA, duke i detyruar disa prej tyre të largohen për shkak të frikës nga deportimi. Pas shumë padive të suksesshme, administrata e riktheu statusin e tyre ligjor, por gjithashtu zgjeroi bazat për t’ua revokuar statusin ligjor studentëve në të ardhmen. Një pezullim i zgjatur i planifikimit të intervistave për viza studentore mund të shkaktojë vonesa që rrezikojnë regjistrimin e studentëve në semestrat e verës dhe vjeshtës./REL