Shqipëria është ngjitur në vendin e 80-të në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit për vitin 2025, të publikuar nga organizata ndërkombëtare Reporterët pa Kufij (RSF), duke shënuar një përparim të ndjeshëm prej 19 pozicionesh krahasuar me një vit më parë. Në edicionin e kaluar, Shqipëria renditej në vendin e 99-të nga gjithsej 180 vende të vlerësuara.

Raporti vjetor evidenton një përmirësim në disa aspekte të klimës mediatike në vend, por njëherazi nënvizon se liria e shtypit vazhdon të përballet me sfida strukturore. Ndër shqetësimet kryesore përmendet ndërlidhja problematike midis biznesit, politikës dhe mediave, ku interesat e përbashkëta mes këtyre fushave shpesh ndikojnë në pavarësinë editoriale. Mungesa e një kuadri ligjor të fortë dhe kontrolli partiak mbi institucionet rregullatore janë ndër faktorët që përmenden si pengesa serioze për funksionimin e një media të lirë dhe të paanshme.

Pavarësisht garancive kushtetuese dhe angazhimeve ndërkombëtare për të mbrojtur lirinë e medias, raporti vëren se gazetarët në Shqipëri nuk janë të mbrojtur sa duhet, veçanërisht kur bëhet fjalë për ruajtjen e burimeve konfidenciale apo hetimin e çështjeve sensitive si krimi dhe korrupsioni. Gazetarët që raportojnë për protesta apo operacione të policisë shpesh përballen me rrezik fizik, përfshirë edhe dhunë nga forcat e rendit.

Një ndër shembujt më të rëndë të këtij realiteti është incidenti i marsit 2023, kur godina e televizionit Top Channel u bë objekt i një sulmi të armatosur, ku humbi jetën një punonjës sigurie. Ky akt u cilësua si një nga sulmet më të rënda kundër medias në Shqipëri vitet e fundit. Sipas RSF, ndërkohë që ka patur përpjekje të kufizuara për të hetuar rastet e sulmeve, niveli i lartë i pandëshkueshmërisë mbetet një faktor që nxit cenimin e mëtejshëm të lirisë së shtypit.

Sa i përket rajonit, situata paraqitet e larmishme. Mali i Zi ka përparuar lehtë, duke kaluar nga vendi i 40-të në të 37-in, ndërsa Maqedonia e Veriut ka pësuar rënie, nga pozicioni i 36-të në atë të 42-të. Serbia qëndron në vendin e 96-të, kurse Bosnje-Hercegovina në të 86-in. Ndërkohë, Kosova ka shënuar rënien më të madhe që nga viti 2010, duke u renditur në vendin e 99-të – një përkeqësim i vazhdueshëm që pasqyron sfida serioze për gazetarët në terren.