Report Tv në bashkëpunim me institutin Piepoli sjellin sondazhin e fundit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, dhe projeksionet se si do të ndahen mandatet në rang kombëtar.
Shqiptarët do t’i besonin Edi Ramës një mandat të katërt qeverisës. Nga 74 mandate të siguruara në 2021, sipas projeksionit të Piepolit, PS do merrte në këto zgjedhje 75 mandate në rang kombëtar, përkthyer në vota 48.4%.

Ndërkohë, Koalicioni PD-ASHM shënon një rënie drastike, duke humbur 9 mandate në rang kombëtar. Koalicioni i Berishës merr 54 mandate nga 63 mandate në 2021. Në vota, koalicioni i udhëhequr nga Berisha merr 35.4% të votave, nga 46.3% të votave në 2021, një rënie 10.9%.
Për herë të parë, dy parti të reja arrijnë të futen në Kuvend. Adriatik Lapaj me Nisma Shqipëria Bëhet konfirmohet forcë e tretë politike dhe merr 7 mandate në rang kombëtar, me 7.6% të votave. Lapaj, ndiqet nga Partia Mundësia me 4.8% të votave, i cili merr 3 mandate në gjithë vendin. Duke u bërë të vetmet parti të reja që arrijnë të kalojnë pragun kombëtar.
PSD e Tom Doshit mbetet me 1 mandat me 2% të votave, nga 3 mandate që kishte siguruar në 2021. Doshi humb një mandat në Tiranë dhe 1 mandat në Shkodër dhe tashmë mbetet vetëm me një deputet në Kuvend që sipas projeksionit e fiton në qarkun e Shkodrës.
Në rang kombëtar, 1.4% e shqiptarëve më 11 maj do votonin partinë ‘Lëvizja Bashkë’ të Arlind Qorit dhe nga 0.1% do votonin partinë ‘Koalicioni Euroatlantik’ të Lulzim Bashës dhe koalicionin ‘Djathtas për Zhvillim’ të Enkelejd Alibeajt./ Shqiptarja.com