Nga Alba Malltezi 

Ne shqiptarët jemi mësuar me stërvitje nga më të ndryshmet. Historia dhe fati na kanë sjellë lloj lloj rrethanash të pabesueshme. Edhe sot e kësaj dite në botë, jo shumë e dinë se si u mbyllëm në një kafaz gjigand për gati 50 vite, e përtej kafazit, na projektonin “judin” imperialisto-revizionist që kërkonte të na hante të gjithëve të gjallë nëse atë kafaz do ta braktisnim një ditë. Por judi ishte dhe në familje, edhe tek komshinjtë, edhe te kolegët, kudo. Edhe sot e kësaj dite disa prej nesh e përdorin këtë jud të së shkuarës për të trembur, për të shantazhuar e për të baltosur njerëz që të shkuarën e kanë lënë me kohë pas. E me të gjitha këto, mbijetojmë, kaluam përmes një tranzicioni të tmerrshëm, skizofrenik e sot kemi një shpresë të fituar përgjatë sakrificash sizifike, duke ëndërruar të hipim dhe ne në malin e Demokracisë. Në majën e atij mali nuk do të gjejmë perfekten, por do të gjemë më të mirën e mundshme që është bërë deri më sot në rruzull për respektimin e Dinjitetit dhe të qënit Njeri.

Treguam qytetari në zgjedhjet e shkuara dhe presim që Drejtësia të tregojë që kemi treguar dhe respekt dhe korrektësi ndaj njëri-tjetrit. Tani na pret një detyrë që shumë prej nesh e kanë nisur dhe e kanë bërë të tyren prej vitesh, prej kohësh. Fillimisht e kanë ëndërruar, më pas kanë nisur ta aplikojnë individualisht, ashtu, në atë hapsirë hyjnore që kemi brenda vetes dhe që na imponon të jemi të drejtë dhe njerëzorë pavarësisht cilitdo dhe kudo që ndodhemi.

Po cila është stërvitja jonë për të qenë gati dhe për t’u bërë denjësisht qytetarë Europianë? Çfarë na jep Europa dhe çfarë mund të ofrojmë ne për të? Sigurisht detyrimet janë të shumta, ashtu si dhe përfitimet, por për ne, janë si buka, ajri dhe kripa. Të lehta, sepse janë brenda shumë prej nesh dhe e kemi treguar. Bëhet fjalë për ato karakteristika civile, morale dhe ligjore që bëjnë të mundur të jetojmë në një shoqëri të lirë, pluraliste dhe të bazuar mbi respektin e të drejtave të njeriut.

Shumë prej nesh, edhe ndryshe nga disa prej politikanëve tanë, kanë evoluar dhe janë emancipuar duke njohur dhe respektuar ligjet e shtetit tonë dhe të Bashkimit Europian. Shumë prej nesh marrin pjesë në jetën demokratike të vendeve europiane duke respektuar rregullat. Shumë prej nesh marrin pjesë në jetën aktive të Bashkimit Europian duke kontribuuar në debatet demokratike, në shoqata, lëvizje dhe nisma civile. Kemi krijuar një shpirt kritik dhe një aftësi për t’u informuar përmes burimeve të ndryshme dhe të besueshme. Arrijmë të njohim dizinformimin dhe të refuzojmë propagandën dhe populizmin dhe këtë e kemi treguar me veprime konkrete dhe zgjedhjet e duhura në momente të caktuara.

Në kohë të kohëve ne shqiptarët kemi treguar se respektojmë kulturat, fetë, besimet dhe indentitetet e ndryshme të të tjerëve. Kemi hapur dyert kur të tjerët kanë pasur nevojë dhe kjo është një vlerë që mund ta eksportojmë. Ne stërvitemi të gjithë përditë për të injoruar, refuzuar dhe izoluar urrejtjen dhe cilindo që e përdor si formë.

Ne shqiptarët po strëvitemi të gjithë bashkë, përditë, për t’u përmirësuar. Është një punë e lodhshme, shpeshherë kalon përmes mundimit për të studiuar dhe për të qenë edhe me të zellshëm se dhe vetë europianët që Europën e kanë, por e dimë të gjithë se kjo është rruga e duhur dhe nga kjo rrugë, për ne, nuk ka kthim pas./Shqiptarja.com