Ushtria izraelite kreu sulme ajrore në Rripin e Gazës të dielën, duke i vrarë të paktën 20 palestinezë në të enklavën palestineze, përfshirë një gazetar vendas dhe një zyrtar të lartë të shërbimit të shpëtimit, sipas autoriteteve shëndetësore.

Izraeli kreu sulme të ndara në Han Junis në jug, në Xhabalia në veri dhe Nuseirat në pjesën qendrore të Gazës, sipas mjekëve.
Në Xhabalia, mjekët thanë se gazetari Hassan Majdi Abu Warda dhe disa anëtarë të familjes së tij u vranë nga një sulm ajror që goditi shtëpinë e tij mëngjesin e së dielës.
Një tjetër sulm ajror në Nuseirat vrau Ashraf Abu Nar, një zyrtar i lartë i shërbimit të emergjencës civile në territor, dhe gruan e tij në shtëpinë e tyre, shtuan mjekët.

Ushtria izraelite nuk i ka komentuar deri tani sulmet e së dielës. Numri i gazetarëve të vrarë në Gazë që nga fillimi i luftës më 2023 është rritur në 20, sipas zyrës së Qeverisë në Gazë, e cila udhëhiqet nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE. Izraeli është duke e vazhduar ofensivën e tij ushtarake dhe deri tani ka lejuar ndihmë minimale të hyjë në territorin palestinez.
Gaza ka qenë nën bllokadën izraelite për gati tre muaj, dhe ekspertët paralajmërojnë se shumë nga 2 milionë banorët e saj janë në rrezik të madh urie të skajshme.
Edhe Shtetet e Bashkuara, mbështetësit më të mëdhenj të Izraelit, kanë shprehur shqetësime për krizën e urisë.

Izraeli ka bërë të ditur se do t’i vazhdojë sulmet derisa Hamasi t’i lirojë të gjithë 58 pengjet izraelite të mbetura dhe të çarmatoset. Më pak se gjysma e pengjeve që ndodhen ende në Gazë besohet se janë gjallë.

Lufta në Gazë filloi kur militantë të udhëhequr nga Hamasi sulmuan Izraelin jugor, duke vrarë 1.200 njerëz dhe duke marrë rreth 250 pengje. Izraeli thotë se 58 pengje mbeten në Gazë, megjithëse besohet se rreth 35 prej tyre janë të vdekur. Prej atëherë, lufta e Izraelit i ka vrarë më shumë se 53.000 njerëz në Gazë, shumë prej tyre gra dhe fëmijë, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë./REL