Igli Tare befason drejtuesit e Milanit. Edhe pse punën për gjetjen e trajnerit të ri e ka nisur përpara emërimit zyrtar si drejtor sportiv, ai realizoi lëvizjen që askush nuk e priste. Sipas gazetës “Corriere dello Sport”, Tare zhvilloi një takim sekret me Massimiliano Allegri-n. Natyrisht, tema e diskutimit ishte dëshira për ta kthyer teknikun në stolin kuqezi.

Drejtuesi i Milanit i ofroi kontratë 3-vjeçare me pagë 5 milonë euro në sezon, të cilave do ti shtohen edhe shpërblime për arritjen e objektivave. Allegri është kthyer në objektivin kryesor të klubit, menjëherë sapo Tare e kuptoi që Vincenzo Italiano po e shfrytëzonte interesin për të përfituar kontratë më të lartë te Bologna.

Kjo bëri që drejtori sportiv të ndryshonte prioritetet, duke vendosur në krye të listës emrin e Allegrit, i cili është përfolur edhe për Napolin dhe Interin. Pas takimit me trajnerin, te Milani janë optimistë për mbylljen e shpejt të marrëveshjes.
Madje, burime pranë klubit theksojnë se akordi parimor mund të arrihet në orët në vijim. Vendosmëria e Igli Tares për të kthyer trajnerin që nga viti 2010 deri më 2014-ën ka fituar një titull kampion dhe Superkupën me Milanin, i shtangu të gjithë në rrugën Aldo Rossi.