Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka larguar këshilltarin e tij për siguri kombëtare, Mike Waltz, dhe e ka emëruar sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, si zëvendësim të përkohshëm në këtë post. Ky është ndryshimi i parë në ekipin e ngushtë të Trumpit, që kur ai mori mandatin e dytë presidencial në janar.
Trump shkroi në rrjetet sociale se do ta nominojë Walzin në postin e ambasadorit të SHBA-së në Kombet e Bashkuara, duke shtuar se “ai ka punuar shumë për të vendosur në rend të parë interesat e shtetit tonë”.
Sekretari Rubio është personi i parë që do të mbajë dy poste, që nga Henry Kissinger, i cili në vitet ’70 kishte mbajtur njëkohësisht postin e sekretarit të Shtetit dhe të këshilltarit për siguri kombëtare.
“Kur kam ndonjë problem, e thërras Marcon. Ai e zgjidh problemin”, tha Trump në Shtëpinë e Bardhë gjatë së enjtes.
Për largimin e Waltzin kishte pasur thashetheme për javë të tëra, që kur ai krijoi një grup në Signal dhe gabimisht e futi në atë grup një gazetar, teksa aty zyrtarët më të lartë amerikanë të sigurisë ndan plane të ndjeshme ushtarake. Redaktori i revistës The Atlantic më pas raportoi për bisedimet që ishin zhvilluar në këtë grup, duke përshkruar detajet e një sulmi amerikan në Jemen.