Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë të premten se Irani ka tashmë një propozim amerikan lidhur me programin e tij bërthamor, i cili përparon me shpejtësi, teksa bisedimet mes dy vendeve po vazhdojnë.
Kjo është hera e parë që Trump e pranon se ka një propozim amerikan për Teheranin, pas disa rundeve negociatash mes të dërguarit amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, dhe ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araghchi.
Negociatat kanë kaluar në nivelin e “ekspertëve” – që do të thotë se të dyja palët po përpiqen të kuptojnë nëse mund të arrijnë pajtueshmëri për hollësitë e një marrëveshjeje të mundshme.
Por, mosmarrëveshja kryesore mes tyre mbetet pasurimi i uraniumit nga Irani. Administrata Trump kërkon vazhdimisht që Teherani të heqë dorë nga pasurimi i uraniumit, por republika islamike ngul këmbë se duhet ta lejohet të vazhdojë.