Ish-presidenti amerkan, Joe Biden, ka reaguar për herë të parë pasi zyra e tij zyra e tij njoftoi se ai është diagnostikuar me kancer në prostatë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, krahas një fotoje me bashkëshorten, Biden u shpreh se ai dhe Jill kanë mësuar të jenë të fortë atëherë kur janë thyer.

“Kanceri na prek të gjithëve. Ashtu si shumë prej jush, edhe unë dhe Jill kemi mësuar se jemi më të fortë atëherë kur jemi thyer. Faleminderit që na mbështesni me dashuri dhe përkrahje”, shkruan Biden.
Ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë u diagnostikua me kancer në prostatë të premten dhe sipas zyrës së tij, qelizat kancerogjene kanë përparuar në kockat e tij.

Biden dhe familja e tij “po shqyrtojnë opsionet e trajtimit me mjekët”, thuhej në deklaratë. Zyra e ish-presidentit Biden shtoi se kanceri është i ndjeshëm ndaj hormoneve, që do të thotë se ka shanse të menaxhohet me një trajtim efektiv.

Ish-presidenti amerikan nga radhët e demokratëve është 82 vjeç. Në SHBA, kanceri i prostatës është kanceri më i zakonshëm dhe shkaku i dytë kryesor i vdekjes nga kanceri te burrat, sipas Shoqatës Amerikane të Kancerit. Ish-presidenti Biden u largua nga Shtëpia e Bardhë më 20 janar të 2025, duke ia kaluar stafetën e pushtetit rivalit të tij republikan, Donald Trump.