Deri të shtunën, do të vazhdojnë t’u bien borive duke festuar për një… Tweet. Me një tekst që mund t’ua kishte thënë edhe vetë “armikja” e tyre, Yuri Kim, po ta kishte pyetur Çim Peka që katër vjet më parë, kur Saliu u shpall non grata: se ligji amerikan parashikon përjashtime në raste të jashtëzakonshme.
Nga Endrit Hora

Në të gjitha sondazhet serioze të publikuara deri më sot në mediat shqiptare, aleanca e “madhështorëve”, me Sali Berishën në krye, ka humbur rreth 11 pikë përqindje krahasuar me katër vite më parë. Dhe gjithçka tregon se në 11 maj i pret disfata e radhës.
Por edhe sikur të mos ishte kështu – edhe sikur t’i kishin barazuar socialistët në sondazhe – është pothuaj e sigurt që do të kishin humbur disa pikë vetëm gjatë javës së fundit të fushatës. Arsyeja? Thjesht, sepse e kanë kthyer në një reality show të keq:
Me guerrilasit e Gjin Gjonit që shfaqen në Lezhë si në një film me buxhet të ulët,
Me Xhelal Mziun që, edhe po të ishte me pagesë nga PS, nuk do t’i bënte më shumë dëm PD-së.
Me mitingje groteske si ai i Elbasanit, ku djali i ish-kreut demokrat të qarkut përfundon në spital pas një sherri, që ndodhi saktësisht kur fliste “i dërguarit” i LaCivitas… PD reagoi menjëherë duke e quajtur “ngjarje banale” – dhe, nuk ka faj: banale është fjala kyçe që përmbledh të gjithë këtë fushatë.
Por kulmi i farsës erdhi dje, kur qarkulloi lajmi se një gazetar amerikan kishte pyetur në Departamentin Amerikan të Shtetit nëse Sali Berisha mund të udhëtojë në SHBA. Dhe një burim anonim (si gjithmonë, anonim! A thua po flasim për planin bërthamor!) qenka përgjigjur se “në raste të veçanta, edhe mundet”.
Dhe menjëherë, propaganda berishiste përktheu në: “Sali Berisha do të vizitojë Uashingtonin!”. Dhe kështu nisi parakalimi qesharak i figurave të njohura të opozitës në çdo studio televizive, duke shpallur fitoren e madhe diplomatike… me një tweet.
U mbarsën me gënjeshtra për muaj të tërë –nga marsi, u shty për prill, pastaj për maj – dhe në fund, gjithçka që arritën të ofrojnë është një tweet. As biletë, as vizë, as ftesë. Vetëm një fjali që në thelb do të mund ta kishte thënë edhe vetë “armikja” e tyre, Yuri Kim, po ta kishte pyetur Çim Peka që katër vjet më parë kur Saliu u shpall non grata: se ligji amerikan parashikon përjashtime në raste të jashtëzakonshme.
Kjo është si të thuhej në vitet ‘60 se edhe Fidel Kastro mund të vizitonte SHBA-në – dhe pastaj të linte këpucën mbi foltore në OKB, si Hrushovi.
Ndërkohë, demokratët e thjeshtë, ata që vërtet besuan në një “rikthim të tretë”, duhet ta ndjejnë veten të tradhtuar, ose më së paku, të përdorur. Sepse në vend të kthimit të liderit në skenën botërore, iu servir një iluzion dixhital në X (ish-Twitter), që u trajtua sikur ishte një telegram nga Shtëpia e Bardhë.
Fushata përfundon kështu, me Sali Berishën që, nën peshën e gafave, harresave dhe shkarjeve logjike, i afrohet gjithnjë e më shumë profilit të Joe Bidenit… por pa Shtëpinë e Bardhë.
Dhe deri të shtunën, do të vazhdojnë t’u bien borive të fitores që nuk do vijë kurrë, duke festuar jo një fitore, por një… Tweet.
