Analisti Preç Zogaj komentoi në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV deklaratën e tri ditëve më parë të Ambasadës amerikane në Tiranë për zgjedhjet e 11 majit, ku urohej populli shqiptar, por nuk përmendeshin as pozita dhe as opozita.
Zogaj tha se kjo deklaratë është produkt i një “shtrydhjeje” që ka dalë nga ballafaqimi i dy grupeve në SHBA, njëri nga familja Trump dhe tjetri nga administrata.
“Amerikën e shoh si superfuqi e demokracisë që ka të bëjë me demokracinë edhe në Shqipëri, është garantja e sigurisë. Në këtë sens e shoh. Amerikën e shohim në kuptimin e gjerë të fjalës, pastaj pushtetet ndërrohen.
Tani jemi te qeverisja Trump dhe qëndrimi ndaj zgjedhjeve. Shumë i shkurtër, konçiz, është shtrydhur si deklaratë. Është parë me grup pune, disa herë dhe ka ngelur kjo. Janë hequr emrat, krahasuar me deklaratën e para katër viteve dhe urohet vetëm populli shqiptar.
Sa i takon debatit këtu, mendoj se është një deklaratë e cila është win-win, po të duan ta shohin kështu. Është deklaratë që ka dalë nga ballafaqimi i dy grupeve, që aktualisht janë në SHBA dhe kanë lidhje me Shqipërinë. Një është grupi i Sazanit dhe tjetri është grupi i 6 milionë dollarëve.
Të dy kanë peshë. Njëri grup ka peshë në familjen e Trump. Grupi tjetër është në pjesën e administratës. Lobimi 6 mln dollarë, bëhet nga një kompani ku është vajza e shefes te personelit të Trump, pra vajza është pjesë e lobingut dhe Trujillo, që ka influencë në DASH.
Pra grupi i 6 milionëshit është në administratë. Këto dy skaje dhe interesat e tyre kanë prodhuar këtë deklaratë. Është e çuditshme në fakt kjo deklaratë. Deklarata e SHBA në këto zgjedhje ka ngritur pritshmëri për një arsye, do t’i njohë apo jo këto zgjedhje? Kjo është pyetja.
Pra mendoj se është deklaratë e ekuilibruar që ka dalë nga ky kontekst që përmenda”- tha Zogaj.