Shoqata e Futbollit të Anglisë (FA) ka njoftuar se duke nisur nga 1 qershori 2025, grave transgjinore nuk do t’u lejohet më të marrin pjesë në futbollin e femrave në Angli.

Ky vendim vjen pas një vendimi të Gjykatës Supreme që interpreton se termi “grua” në Aktin e Barazisë i referohet vetëm grave biologjike.
Ky është një ndryshim i rëndësishëm nga politika e mëparshme e FA-së, e cila u lejonte grave transgjinore të luanin në futbollin e femrave nëse përmbushnin kushte të caktuara hormonale. Megjithatë, pas këshillave të reja ligjore që pasuan vendimin e gjykatës më 16 prill, FA ka vendosur të ndryshojë qasjen e saj.

“Ne e kuptojmë se ky vendim mund të jetë i vështirë për ata që duan të luajnë sportin në gjininë me të cilën identifikohen”, tha FA në një deklaratë, duke shtuar se do të ofrohet mbështetje për rreth 20 lojtarët transgjinorë të regjistruar aktualisht në Angli.
Vendimi i FA-së pritet të ndikojë edhe në qëndrimin e organizatave të tjera sportive në Mbretërinë e Bashkuar. Ndërkohë, Shoqata Skoceze e Futbollit ka njoftuar tashmë se do të ndjekë një politikë të ngjashme duke nisur nga sezoni i ardhshëm.
Grupi i fushatës për të drejtat e grave “Sex Matters” e mirëpriti vendimin, duke e cilësuar atë si një hap të vonuar por të domosdoshëm për mbrojtjen e sportit të femrave.
Organizata bamirëse LGBTQ+ Stonewall nuk ka dhënë ende një koment zyrtar mbi vendimin.