Kandidati i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri zhvilloi një takim me pensionistë të Rajonit 2. Gjiknuri i cilësoi ata si kontributorët ndër vite të Partisë Socialiste, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e përhershme që kanë treguar, ndërsa u ndal tek vëmendja që qeverisja e Partisë Socialiste ka treguar përmes përfshirjes në programin e saj të rritjes së pensioneve.

Gjiknuri theksoi se, “Tanimë Shqipëria i ka mundësitë të rrisë pensionet, por sidomos pensionet minimale. Në vitin 2026, pensioni minimal do të jetë 20.000 lekë dhe pensioni mesatar 40.000 lekë, duke e cilësuar këtë si vepër të punëve të mira që ka bërë kjo qeveri dhe e mundësive financiare që tanimë vendi ynë i ka. Antarësimi në Bashkimin Evropian do të ndikojë dhe në vëmendjen e shtuar ndaj kategorisë suaj, duke zgjeruar skemën e rimbursimit të ilaçeve. Unë ju garantoj se do të merrem personalisht me çështjen e transportit publik, për të zgjeruar frekuencën e zonave ku ofrohet ky shërbimin si dhe respektimin në kohë të itinerarit të transportit publik”.

Gjiknuri u ndal tek investimet konkrete të realizuara në Vlorë nga qeverisja e Partisë Socialiste, duke pohuar se ka qenë një zë i fuqishëm që vazhdimisht ka lobuar për realizimin e investimeve në këtë zonë, ndërsa kërkoi mbështetje masive përmes votës për Partinë Socialiste dhe për emrin e tij si kandidat.”Jam politikan që i kam provuar edhe sfidat. Karrierën time e kam filluar kur të tjerët iknin nga Partia Socialiste. Në 14 shtator të vitit 2005, kur qeveria Berisha bënte betimin, une u anëtarësova në PS, atëhere forca politike në opozitë. Vij në listë të hapur, duke reflektuar vlerat e socialistit, prandaj dua mbështetje masive, veçanërisht nga ju, besnikët e përhershëm të PS-së”.

Pensionistët i garantuan kandidatit Gjiknurit mbështetje të padiskutuar përmes votës për Partinë Socialiste dhe për kandidimin e tij.