Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje aleatëve Perëndimorë që t’i sigurojnë rreth 30 miliardë dollarë deri në fund të vitit, me qëllim që të rrite kapacitetet e prodhimit vendor të armëve dhe të parandalojë avancimin e mëtutjeshëm të Rusisë.

“Nuk jemi duke operuar me kapacitete të plotë”, tha Zelensky gjatë një konference për media në Kiev.

Ai theksoi se 30 miliardë dollarë nevojiten për të mbuluar deficitin – duke theksuar se kjo shumë është vlerësuar si e përafërt me koston e objektivave ushtarake të Ukrainës.
Qeveria e Zelenskyt po përqendrohet gjithnjë e më shumë në përpjekjet e brendshme, pasi diplomacia e Trump ende nuk ka dhënë rezultate dhe trupat ruse kanë shtuar sulmet me raketa dhe dronë, ku këtë muaj janë parë disa nga sulmet më të rënda në tre vjet luftë.

Zelensky tha se asetet e ngrira ruse mund të jenë një burim financimi dhe ai planifikon t’u bëjë thirrje vendeve të G7-s të shtojnë përpjekjet e tyre në këtë drejtim.

Vitin e kaluar, G7 ofroi një paketë kredie prej 50 miliardë eurosh (56.5 miliardë dollarë amerikanë) që do të mbështetet nga të ardhurat nga afërsisht 300 miliardë dollarë amerikanë në asete të ngrira ruse.

“Ka asete ruse nga vendi që na solli luftën. Unë besoj se ka shumë instrumente në dispozicion për të financuar përpjekjet e luftës së Ukrainës”, tha Zelensky.
Ai theksoi gjithashtu nevojën për të rritur stokun e dronëve ushtarakë në 1,000 njësi dhe për të rritur numrin e operacioneve me dronë kundër Rusisë nga 100 në 300-500 në ditë.

“Kjo do t’u tregojë rusëve se do ta ndiejnë përgjigjen nëse partnerët tanë na ndihmojnë. Kjo nuk është çështje kapaciteti prodhimi. Është çështje financimi”, tha ai.