Presidenti i Republikës, Bajram Begaj u shpreh sot se, komunitetet arbëreshe janë rojtarët më të fortë të rrënjëve tona identitare, kulturore, gjuhësore, riteve fetare e shpirtërore. Në një postim në rrjetet sociale Begaj ndau pamje nga vizita në Kalabri. Begaj falënderoi çdokënd që kontribuon për të trashëguar këtë pasuri të jashtëzakonshme të njerëzimit.

“Faleminderit çdokujt që kontribuon për të trashëguar këtë pasuri të jashtëzakonshme të njerëzimit!”, shkroi Begaj.
Begaj në Kalabri u takua me komunitetin arbëresh të rajonit në komunat: Andali, Marceduza, Cervicati, Mongrassano, Platacci, Santa Caterina Albanase Frascineto, San Demetrio Corone, San Benedetto Ullano, San Cosmo Albanese, Castroregio dhe Cerzeto.

Presidenti Begaj e konsideroi komunitetin arbëresh në Itali si urë lidhëse midis Shqipërisë dhe Italisë, midis të kaluarës dhe të ardhmes, midis identitetit dhe integrimit të plotë të shoqërisë sonë, transmeton ora. Presidenti i Republikës në takimet e tij me arbëreshët nxiti përcjelljen e historive familjare të trashëguara brez pas brezi për të mbajtur gjallë këtë pasuri kulturore unike.

Duke përmendur figura të rëndësishme të letërsisë, kulturës dhe politikës arbëreshe, Presidenti i Republikës u shpreh se tek arbëreshët ai sheh rojtarët më të mirë të shpirtit identitar, të gjuhës, kulturës dhe riteve fetare.
Presidenti Begaj u ndal dhe në angazhimin e përbashkët të institucioneve të të dyja vendeve për të paraqitur në UNESCO dosjen e “Motit të madh”, një mënyrë e mbrojtjes së kësaj pasurie kulturore gjuhësore dhe ruajtje e riteve fetare, së bashku me kostumet plot ngjyra e gjallëri si pasuri jomateriale e njerëzimit.

Në këto komunitete, që janë pjesë integrale e jetës italiane, por me një ndjenjë të thellë përkatësie shqiptare, Presidenti ftoi që kjo marrëdhënie e veçantë shpirtërore duhet të materializohet me një fuqizim dhe forcim të marrëdhënieve ekonomike, shkëmbimeve tregtare dhe shtim të bashkëpunimit mes Rajonit të Kalabrisë dhe rajoneve të ndryshme në Shqipëri. Pas kësaj vizite, nën kujdesin e Presidentit tre komuna arbëreshe do të kenë në sheshet e tyre simbolin e forcës arbëreshe: bustet e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Nga këto sheshe Presidenti Begaj shprehu bindjen e tij se vizioni evropian i shqiptarëve është rruga e drejtë që na forcon e na zhvillon.